Më datë 26 nëntor 2025, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Sllovaki kremtoi në një aktivitet të madh diplomatik dhe kulturor, Festën Kombëtare, 113 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në Sallën kryesore të Primat Palace në qendër të Bratislavës. Në aktivitet morën pjesë si përfaqësues i qeverisë sllovake Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Investimet, Zhvillimin Rajonal dhe Informatizimin Radoslav Stefanek, Kryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane Jan Ferençak, deputetë të Parlamentit Sllovak, Ambasadorë, diplomatë, akademikë, përfaqësues të medias dhe institucioneve kulturore sllovake, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar me banim në Sllovaki dhe Austri. Pas egzekutimit të himneve kombëtare, të pranishmit u përshëndetën nga Ambasadori i RSH në Sllovaki Z. Arten Hanku, dhe më pas në emër të qeverisë sllovake nga Sekretari i Shtetit Z. Radoslav Stefanek. Pas shfaqjes së një kolazhi me video promovuese për turizmin shqiptar dhe asaj të organizimit të Samitit të 6 të EPC (Europian Political Committee) në Tiranë në maj të këtij viti, të pranishmit patën kënaqësinë e ndjekjes së një programi artistik me pjesëmarrjen e dy artisteve profesioniste shqiptare, mezzo-sopranos Flaka Goranci nga Vjena dhe pianistes Almira Emiri nga Berlini, të cilat me performancën e tyre virtuoze në interpretimin mjeshtëtor të pjesëve shqiptare dhe atyre klasike, u duartrokitën me ovacione nga të pranishmit. Në përfundim të aktivitetit të ftuarit patën mundësinë e shijimit të specialiteteve të kuzhinës shqiptare, në një Pritje-Bufe të përgatitur nga Restoranti i njohur me pronarë shqiptarë, „Narbon“ në Bratislavë.







