Ambasada e Shqipërisë në Spanjë, në bashkëpunim me Círculo de Bellas Artes, organizoi një aktivitet të veçantë kushtuar letërsisë dhe kulturës shqiptare të përkthyer në spanjisht, në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, fitues i Çmimit prestigjioz “Princi i Asturias për Letërsinë” në vitin 2009, si edhe me rastin e 40-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Aktiviteti u hap nga ambasadorja Entela Gjika dhe vijoi me diskutimet e botuesit spanjoll Manuel Florentin, përkthyeses María Roces dhe shkrimtarit Namik Dokle. Biseda u moderua nga Kita Sallabanda, Konsulli i parë i Nderit i Spanjës në Shqipëri.
Të pranishmit vlerësuan rolin e letërsisë shqiptare si urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj spanjolle, duke theksuar rëndësinë e përkthimit dhe dialogut kulturor në afrimin mes dy vendeve.
Mbrëmja u shoqërua me recitime në gjuhën spanjolle nga krijimtaria e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit, Migjenit si edhe me fragmente nga Epika Legjendare shqiptare, duke sjellë para publikut spanjoll pasurinë dhe identitetin e kulturës sonë kombëtare.







