Në Strugë, Shoqata e Historianëve Shqiptarë – Strugë dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, organizuan Konferencën Shkencore “Pranvera Shqiptare” – 45-vjetori i Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe reflektimi i tyre në Strugë dhe më gjërë.
Ky aktivitet mblodhi studiues, ish-pjesëmarrës të demonstratave, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtyre protestave në kërkesat për liri, barazi dhe të drejta kombëtare si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve në Kosovë. Në referatet historike mbi zhvillimet e vitit 1981, dëshmitë nga pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë si dhe diskutimeve mbi ndikimin e këtyre ngjarjeve në të tashmen, u theksua se demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë të rëndësishme politike dhe shoqërore, duke ngritur ndërgjegjen kombëtare dhe duke ndikuar në proceset e mëvonshme drejt pavarësisë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm z. Petrit Musaj i cili mbajti një fjalë përshendetëse ku ndër të tjera theksoi se sot, pas 45 vitesh, është e rëndësishme jo vetëm të kujtojmë këto ngjarje, por edhe të reflektojmë mbi mesazhet që ato përcjellin për brezat e sotëm dhe të ardhshëm mbi vlerën e lirisë, të drejtave dhe përgjegjësisë për t’i ruajtur dhe forcuar ato.


