Më 5 qershor 2025, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Suedi, u zhvillua një takim i ngrohtë me pjesëtarë të komunitetit akademik shqiptar, studentë, studiues dhe ekspertë nga fusha të ndryshme.
Takimi u hap me një interpretim të bukur të këngës shqiptare “Moj e bukura Arbëri”, të kënduar nga e reja e talentuar Marina Lleshi, duke sjellë emocione dhe ndjesi të veçanta për të gjithë të pranishmit.
Më pas, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Ambasadorja e Shqipërisë në Suedi, znj. Albana Dautllari, e cila falënderoi të ftuarit për praninë dhe për rolin e rëndësishëm që luajnë në përfaqësimin dhe afirmimin e dijes dhe identitetit shqiptar në vendet nordike. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të rrjeteve akademike dhe krijimit të urave të bashkëpunimit mes profesionistëve shqiptarë në rajon.
Ky aktivitet u shndërrua në një platformë të vlefshme për bashkëbisedim, rrjetëzim dhe shkëmbim idesh mbi sfidat dhe mundësitë në fushën akademike.
Gjatë takimit u prezantuan gjithashtu mundësitë për zhvillimin e praktikave profesionale pranë Ambasadës, duke i inkurajuar të rinjtë të angazhohen më afër me diplomacinë dhe përfaqësimin e Shqipërisë jashtë vendit.
Faleminderit nga zemra të gjithë pjesëmarrësve për energjinë, idetë dhe përkushtimin. Ky ishte vetëm një hap drejt një rrjeti më të fortë dhe më aktiv të komunitetit tonë akademik në vendet nordike.
Faleminderit dhe deputetit suedez me origjine shqiptare Arber Gashi për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.






