Në përfundim të mandatit të saj në Suedi, Ambasadorja e Shqipërisë, Znj. Albana Dautllari, zhvilloi një takim lamtumire me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Z. Dag Hartelius.
Ambasadorja Dautllari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Shqipërisë, në veçanti për asistencën përmes SIDA-s në proceset e reformave, integrimin në BE, çështjet mjedisore dhe zhvillimin ekonomik. Ajo theksoi rolin e Team Sweden në nxitjen e investimeve në Shqipëri, sidomos në sektorin e energjisë dhe ndërlidhjes.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të ngushta dypalëshe dhe shkëmbimeve të nivelit të lartë, përfshirë vizitat e fundit të ministrave dhe pjesëmarrjen e Kryeministrit suedez në samitin e EPC në Tiranë.
Z. Hartelius vlerësoi rolin e Ambasadores Dautllari dhe progresin e Shqipërisë drejt BE-së, duke theksuar se Suedia mbetet e angazhuar me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
