Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi mori pjesë në festimet e Ditës së Evropës, të organizuara nga Zyra e Komisionit Evropian në një nga sheshet qendrore të Stokholmit, së bashku me ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre kandidate.
Aktivitetet përfshinë një koncert artistik me këngë dhe valle nga shtetet pjesëmarrëse, si dhe “Fshatin e Evropës”, ku secila ambasadë përfaqësohej me stenda me materiale informuese, ushqime tradicionale, lojëra dhe aktivitete kulturore.
Ambasada jonë ishte pjesëmarrëse aktive si në koncertin artistik ashtu edhe me stendën e saj në Fshatin Evropian. Në skenën kryesore, artistja me origjinë shqiptare që jeton në Suedi, Rudina Hatipi, interpretoi live disa këngë të vjetra shqiptare, e shoqëruar nga dy muzikantë suedezë. Performanca u pasurua me kërcime tradicionale shqiptare nga tre anëtarë të Ansamblit Popullor të ardhur nga Shqipëria.
Stenda shqiptare tërhoqi interes të madh nga vizitorët përgjatë gjithë aktivitetit, nga ora 12:00 deri në 17:00. Aty u prezantua informacion mbi turizmin dhe mundësitë për investime në Shqipëri, si dhe një mini-ekspozitë me veshje tradicionale dhe punime artizanale. Vizitorët patën mundësi të provojnë kostumet, të bëjnë fotografi, dhe të shijojnë gatime dhe pije tradicionale shqiptare.
Përpara stendës u organizuan valle popullore, të cilat përfshinë edhe vizitorë suedezë që iu bashkuan me entuziazëm. I gjithë stafi i Ambasadës dhe grupi artistik nga Shqipëria ishin veshur me kostume tradicionale shqiptare të sjella nga “Tradita”, duke e kthyer stendën shqiptare në një nga më të vizituarat dhe të spikaturat e ditës.






















































