Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Stokholm mbulon marrëdhëniet diplomatike me shtetet e poshtëshënuar:
- Mbretërinë e Suedisë
- Republikën e Finlandës
- Mbretërinë e Norvegjisë
- Republikën e Islandës
- SUEDIA
Suedia është shteti më i madh në Rajonin Nordik, me një sipërfaqe prej rreth 447,435 km². Suedia ndan kufijtë tokësorë me Norvegjinë në perëndim dhe Finlandën në verilindje. Ajo ka gjithashtu brigje përballë fqinjëve të saj nordikë, Danimarkës, Norvegjisë, Åland dhe Finlandës.
Kryeqyteti i Suedisë është Stokholmi. Suedia është një monarki kushtetuese dhe mbreti Carl XVI Gustaf është kreu jopolitik i shtetit. Mbreti ka kryesisht detyra ceremoniale dhe përfaqësuese.
Suedia është anëtare e BE-së, por ka ruajtur kronën suedeze si monedhën e saj. Suedia u anetarësua në NATO në mars 2024, duke u bëra anetarja e 32-të e Aleancës.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Suedisë dhe Shqipërisë janë (ri)vendosur më 20 qershor 1969. Ambasada jonë në Stokholm është hapur në prill të vitit 1972. Gjatë viteve 70 dhe 80 marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona kanë qenë të kufizuara. Vizita e parë e një Ministri suedez të Punëve të Jashtme në Shqipëri është zhvilluar në maj 1991, kur z. Sten Andersson vizitoi vendin tonë në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Gjatë dy dekadave të fundit Suedia ka mbështetur në mënyrë të palëkundur procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociiimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Kjo mbështetje është dhënë dhe jepet jo vetëm në aspektin politik, por edhe nëpërmjet asistencës zhvillimore për forcimin e kapaciteteve administrative dhe drejtimeve të tjera. Instrumenti kryesor për konkretizimin e ndihmës zhvillimore suedeze në vendin tonë është veprimtaria e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA). Gjatë vizitës së Ministrit suedez për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim, Per Olsson Fridh, në datat 6-7 tetor 2021, u lançua Strategjia e II e SIDA-s për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2021-2027, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.
Përgjatë viteve të fundit ka patur, në mënyrë të vazhdueshme, shkëmbime të vizitave të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve tona.
- NORVEGJIA
Norvegjia ndodhet në Evropën Veriore – ndan kufirin me Suedinë, Finlandën dhe Rusinë në veri-lindje, dhe në anën perendimore ka një vijë bregdetare të gjerë në Oqeanin Atlantik të Veriut dhe Deti Barents në veri. Popullsia është afërsisht 5.4 milion, mbi 1 milion prej të cilëve jetojnë në dhe përreth kryeqytetit, Oslo.
Sistemi politik i Norvegjisë është një demokraci parlamentare përfaqësuese me një monarki kushtetuese. Edhe pse jo anëtare e BE-së, Norvegjia është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe anëtare e NATO-s.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Norvegjisë u (ri) vendosën 29 maj 1971. Mbulimi diplomatik i Norvegjisë realizohet nga Ambasada e RSH në Stokholm, ndërsa Norvegjia i mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë nga Ambasada e saj në Ankara.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Vizita e parë e një ministri norvegjez të Punëve të Jashtme në Shqipëri është zhvilluar në prill të vitit 1998, kur z. Knut Vollebæk vizitoi vendin tonë për të diskutuar jo vetëm çështjet dypalëshe por edhe ato rajonale, veçanërisht Kosovën (atë periudhë Norvegjia bënte pjesë në Trojkën e OSBE-së). Në vitet 1990-të Norvegjia filloi financimin e disa projekteve, ndër të cilët, më i rëndësishmi ishte ai për modernzimin e Telekomit shqiptar.
Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale, ndërsa mes dy vendeve janë realizuar vizita të nivelit të lartë.
Norvegjia nuk është anëtare e BE, por bën pjesë në NATO, Hapësirën Ekonomike Evropiane dhe në Zonën Schengen. Oslo mbetet mjaft e interesuar në çështjet e sigurisë në përgjithësi, përfshirë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, Norvegjia ka mbështetur në mënyra konkrete procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
- FINLANDA
Finlanda është e lokalizuar në Evropën Veriore dhe ka një sipërfaqe prej 338,440 km2. Ajo ndan kufij tokësorë me fqinjët e saj nordikë, Norvegjinë dhe Suedinë, dhe kufijtë e tre vendeve takohen të gjithë në Treriksröse (The Three-Country Cairn). Finlanda ka gjithashtu një kufi tokësor me Rusinë dhe kufij detarë me Estoninë dhe Alandin. Kryeqyteti i saj është Helsinki. Gjuhët zyrtare në Finlandë janë finlandishtja dhe suedishtja.
Finlanda është republikë parlamentare. Finlanda u bë pjesë e BE-së më 1 janar 1995. Finlanda iu bashkua NATO-s në prill 2023.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës janë vendosur më 27 gusht 1956. Si Shqipëria ashtu edhe Finlanda nuk kanë përfaqësi diplomatike në kryeqyetet përkatëse. Shqipëria i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Finlandën nga Ambasada e saj në Stokholm, ndërsa Finlanda i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë nga Ambasada e saj në Athinë.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Gjatë dy dekadave të fundit Finlanda ka mbështetur vazhdimisht procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për arritjen e objektivit të anëtarësimit. Përveç mbështetjes politike, Helsinki kontribuon edhe në projekte të ndryshme zhvillimore në Shqipëri.
Vitet e fundit ka patur shkëmbime të vizitave të nivelit te lartë nga te dyja palët.
- ISLANDA
Islanda është një shtet ishullor në Atlantikun Verior, me një sipërfaqe prej 103,492 km2. Islanda nuk ndan asnjë kufi me vendet e tjera, dhe fqinjët e saj më të afërt janë Greenland, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Reykjavíku.
Forma e qeverisjes është një demokraci parlamentare me një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Edhe pse Islanda nuk është anëtare e BE-së, ajo është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane.
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Islandës janë vendosur më 9 Maj 1976. Si Shqipëria ashtu edhe Islanda nuk kanë përfaqësi diplomatike rezidente në Rejkjavik dhe Tiranë, por mbulimi diplomatik i Islandës realizohet nëpërmjet Ambasadës tone në Stokholm, ndërsa Islanda e mbulon Shqipërinë nga Ministria e saj e Jashtme në Rejkjavik.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike të dyja palët kanë shprehur vullnetin e tyre të mirë për të bashkëpunuar. Kuadri ligjor midis të dy vendeve është ende i brishte dhe ka vend për tu zgjeruar.