Më 3 maj 2025, në qytetin Langenthal të Kantonit të Bernës, u mbajt ceremonia përkujtimore e 35-vjetorit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë, organizuar nga LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË me kryetar z. Nazmi Jakurti .
Në këtë ngjarje të rëndësishme, që përkujton një nga kapitujt më të lavdishëm të ndërgjegjësimit dhe unitetit, nga Ambasada e Rsh-së mori pjesë Sekretari i Parë, z. Valon Gashi.
Ngjarja mblodhi personalitete të shquara nga Zvicra, Kosova dhe Shqipëria. Në qendër ishin materialet ekskluzive të kameramanit Murteza Kurti, të cilat sollën përmes pamjeve emocionuese atmosferën e viteve ‘90 dhe rolin e jashtëzakonshëm të figurave si prof. Anton Çeta. Paneli u udhëhoq nga gazetarja Jeta Xharra, me pjesëmarrjen e aktivistëve të hershëm të pajtimit si iniciatorja znj.Hava Shala, z.Ibrahim Dreshaj, znj. Shqipe Bytyqi dhe vetë z. Kurti.
Z. Murteza Kurti, si një “kronist të ndërgjegjes kombëtare”, përmes objektivit të tij ka ruajtur historinë tonë të përbashkët.
Ceremonia u pasurua me interpretimin muzikor të pianistes së mirënjohur znj. Ermira Lefort dhe u dokumentua me kujdes nga Kreativ MGstudio.







