Ermal DREDHA
Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës
Ambasador
Mesazhi i Ambasadorit
Me fillimin e detyrës sime si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës dhe në Principatën e Lihtenshtajnit, dëshiroj të shpreh konsideratën time më të lartë për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve tona. Këto marrëdhënie janë rezultat i punës së vyer të Ambasadorëve paraardhës, institucioneve vendase, si edhe të stafit të Ambasadës në Bernë.
Në këtë rrugëtim të ri, shpreh angazhimin tim personal për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat e nevojshme në shërbim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në nivel politiko-ekonomik, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare ku jemi pjesëtarë. Njëkohësisht, do të punoj për krijimin e hapësirave që lehtësojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve direkte midis Shqipërisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit.
Një nga mekanizmat më të rëndësishëm për përmbushjen me sukses të kësaj detyre mbetet shfrytëzimi i një aseti të çmuar dhe të pazëvendësueshëm: diasporës shqiptare, tashmë e mirëintegruar dhe që përfaqëson me dinjitet vlerat, traditën dhe kulturën shqiptare, si një urë lidhëse mes vendeve tona.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë dhe unë personalisht, mbetemi gjithmonë në dispozicion të komunitetit shqiptar për çdo lloj mbështetjeje apo sugjerimi që ndihmon në përmirësimin e shërbimeve tona.
Faleminderit!
Bio e Ambasadorit
z.Ermal Dredha, është diplomat karriere me një përvojë të gjatë në shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si dhe në administratën publike vendore dhe qendrore. Ai ka ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese dhe përfaqësuese në shërbimin e jashtëm shqiptar, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe të vendit.
Nga korriku 2023 deri në shtator 2025, z. Dredha shërbeu si Kryetar i Bashkisë së Vlorës, ku u angazhua në zhvillimin urban, përmirësimin e shërbimeve publike dhe promovimin e qytetit si një destinacion i rëndësishëm turistik dhe ekonomik.
Më herët, gjatë periudhës maj 2016 – maj 2023, ai mbajti detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Abu Dhabi, duke qenë njëkohësisht edhe Përfaqësues i Përhershëm pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA). Në këtë rol, ai kontribuoi në thellimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe në rritjen e bashkëpunimit në investimet direkte, fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në EBA. Në përfundim të mandatit z.Dredha është dekoruar nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan me Medaljen e Pavarësisë të Klasit të Parë.
Nga viti 2013 deri në vitin 2016, z. Dredha shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Bari, Itali, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve konsullore dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar në Itali.
Më parë, ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (2011–2013), si dhe pozicione të tjera kyçe në të njëjtin institucion, përfshirë Shef i Seksionit Ceremonial dhe funksione në Departamentin e Medias dhe Çështjeve Konsullore. Karriera e tij në shërbimin diplomatik fillon në fillim të viteve 2000, ku ai ka shërbyer në Kabinetin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, si dhe në projekte të rëndësishme administrative dhe ndërkombëtare. Gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, ai ka kontribuar si përkthyes për grupet e gazetarëve italianë, si dhe nga viti 2000-2002, ka punuar pranë Zyrës së Kooperacionit italian në Tiranë.
Dredha është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar studimet Master në gjuhët italiane dhe angleze. Ai ka ndjekur gjithashtu trajnime dhe programe ndërkombëtare, përfshirë një program në diplomaci ekonomike në Harvard University, studime në menaxhimin e eventeve ndërkombëtare në European School of Economics në Londër, si dhe diplomuar në Japoni dhe Kanada në fushat e diplomacisë, kulturës dhe sigurisë globale.
Ai zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane, si dhe ka njohuri në gjuhën japoneze.


