Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha zhvilloi një sërë takimesh me Ambasadorët e akredituar në Shqipëri, duke rikonfirmuar partneritetet e forta ndërkombëtare të vendit dhe angazhimin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Gjatë këtyre takimeve u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve dypalëshe dhe u riafirmua vullneti për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjelltë si tregtia, investimet, siguria, inovacioni, etj.
Gjatë takimit me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, z. Reinout Voss, Ministri theksoi momentumin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe, duke u shprehur: “Ramë dakord mbi rëndësinë e avancimit të punës së përbashkët drejt nënshkrimit në kohë të Marrëveshjes për Bashkëpunim Strategjik dhe ruajtjes së këtij momentumi pozitiv në fusha si shteti i së drejtës, tregtia, investimet dhe inovacioni.”
Në takimin me Ambasadorin e Bullgarisë, z. Ivaylo Kirov, Ministri nënvizoi dimensionin strategjik të bashkëpunimit, duke deklaruar: “Korridori VIII përfaqëson një aks kyç pan-evropian, thelbësor jo vetëm për lidhshmërinë dhe zhvillimin ekonomik, por edhe për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Evropën Juglindore.”
Gjatë takimit me Ambasadorin e Türkiyes, z. Tayyar Kagan Atay, Ministri vlerësoi thellësinë e partneritetit strategjik, duke theksuar: “Rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët prioritarë dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë si partnerë dhe aleatë në NATO për përballimin e sfidave aktuale rajonale dhe globale.”
Në bisedimet me Ambasadoren e Izraelit, znj. Galit Peleg, Ministri vuri në dukje karakterin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke u shprehur: “Marrëdhënia jonë mbështetet në një trashëgimi historike solidariteti dhe respekti të ndërsjellë, dhe ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, arsimi dhe siguria.”
Gjatë takimit me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nick Abbott, Ministri deklaroi ndër të tjera se: “Ne diskutuam mbi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbi qëndrimet tona të përbashkëta në mbështetje të Ukrainës”.
Këto takime nënvizojnë politikën e jashtme proaktive të Shqipërisë, përkushtimin për forcimin e partneriteteve dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe objektivin e qartë strategjik për avancimin e integrimit evropian dhe kontributin aktiv në stabilitetin rajonal dhe global.
Postimet e plota te Ministrit Hoxha ne X:
https://x.com/hoxhafer/status/2036409345362055253?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA
https://x.com/hoxhafer/status/2036754744098652353?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA
https://x.com/hoxhafer/status/2036814216393380182?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA
https://x.com/hoxhafer/status/2036859939684048995?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA
https://x.com/hoxhafer/status/2037048827564142666?s=46&t=toA4veCnO-i55LJ9DxX0OA



