Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë Kosovës, Ambasadori i RSH-së në Bernë, z. Ermal Dredha , mori pjesë në dy mbrëmje solemne të organizuara në Zvicër nga Konsullatat e Kosovës në Zyrih dhe në Gjenevë. Konsullatat përkatëse, organizuan dy mbrëmje solemne për diasporën shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve zvicerane, duke e shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm me koncerte të nivelit të lartë artistik.
Në Zyrih, publiku pati kënaqësinë të përjetojë një mbrëmje të veçantë me këngëtaren e njohur ndërkombëtarisht, znj. Elina Duni, e cila me interpretimin e saj unik krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese.
Ndërsa në Gjenevë, në sallën prestigjioze Victoria Hall, u zhvillua një koncert madhështor me dy artistë të shquar të skenës ndërkombëtare: tenor Rame Lahaj dhe soprano Marigona Qerkezi, të cilët dhuruan një performancë të shkëlqyer, të pritur me duartrokitje të gjata nga publiku.
Në këto mbrëmje festive morën pjesë personalitete të shumta nga komuniteti shqiptar, përfaqësues të lartë të kantoneve përkatëse, si dhe diplomatë.



