Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane, z. Ermal Dredha , zhvilloi ceremoninë zyrtare të dorëzimit të Letrave Kredenciale pranë Presidentit të Konfederatës së Zvicrës, z. Guy Parmelin.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Zvicrës, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tyre. Në fokus të bisedës ishin intensifikimi i vizitave të nivelit të lartë, zhvillimi i forumeve ekonomike, si dhe forcimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si arsimi, turizmi, investimet në sektorin e energnisë së pastër, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në Zvicër.
Presidenti Parmelin vlerësoi me nota shumë pozitive punën e qeverisë shqiptare për ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke theksuar gjithashtu kontributin e rëndësishëm të Zvicrës në këtë drejtim, përmes projekteve për mirëqeverisje, të drejtat e njeriut, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ambasadori Dredha shprehu angazhimin e tij për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar bashkëpunimin konkret mes dy vendeve mike.



