Ambasada e RSH-së në Bernë organizoi në bibliotekën e kryeqytetit “Kornhausbibliothek” një mbrëmje kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agollit.
Në praninë e rreth 100 pjesëmarrësve, si nxënës shqiptarë, mësues dhe miq të kulturës shqiptare në Zvicër u bënë pjesë e një udhëtimi artistik në jetën dhe krijimtarinë e një prej figurave më emblematike të letrave shqipe.
Ambasadori Ermal Dredha në fjalën e tij, vlerësoi Agollin si një krijues që ngriti përvojën e njeriut të thjeshtë në art të madh, duke e bërë poezinë dhe prozën e tij pjesë të kujtesës sonë kolektive. Ai theksoi se veprat e Agollit do të vijojnë të mbeten aktuale, sepse flasin për vlera universale: dinjitetin njerëzor, dashurinë, vendlindjen dhe marrëdhënien e njeriut me kohën e vet.
Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga këngëtarja e mirënjohur Mimoza Nazarko dhe vet nxënësit, materiale filmike të rralla nga jeta e shkrimtarit dhe zërin autentik të vetë Dritëro Agollit.
Një falënderim i veçantë për znj. Brikela Andrea-Nune dhe “Kornhausbibliothek” Bernë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e saj për çdo aktivitet, si dhe për mësuesit, nxënësit dhe artistët për performancën e tyre të shkëlqyer. Po ashtu dhe një falënderim për Muzeun “Kadare–Agolli” dorëshkrimet, skicat dhe gjurmët krijuese të Agollit.
Pas Bernës, Ambasada do të vijojë aktivitetet kulturore të Vitit të Agollit dhe Kadaresë me një veprimtari kushtuar Ismail Kadaresë në Gjenevë gjatë vjeshtës së këtij viti.



