Në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Unionit Postar Universal (UPU), Ambasadori i RSH-së në Bernë, z. Ermal Dredha, zhvilloi diten e djeshme një takim kortezie me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të UPU-së, z.Marjan Osvald.
Takimi u zhvillua në vijim të kontakteve të rregullta institucionale dhe të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Postës Shqiptare dhe UPU-së. Në këtë kuadër, u vlerësua veçanërisht vizita zyrtare e Administratorit të Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj , në selinë e UPU-së në Bernë në shkurt 2026, gjatë së cilës u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital, modernizimit të shërbimeve postare, zhvillimit të tregtisë elektronike dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në sektorin postar ndërkombëtar dhe riafirmuan angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.



