Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, priti në Ambasadë Kryesinë e shoqatës “Alba Health”, të drejtuar nga z. Ekrem Hasani, së bashku me anëtarët znj. Shqipe Halili, z. Ali Murtaj dhe z. Nezir Tishuki.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me Ambasadën, rrjetëzimin e profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër dhe zhvillimin e lidhjeve me institucionet në Shqipëri. Vëmendje iu kushtua gjithashtu organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe përfshirjes së studentëve shqiptarë të mjekësisë dhe infermierisë në nismat e shoqatës.
Ambasadori Dredha vlerësoi angazhimin dhe kontributin e “Alba Health” në mbështetje të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Ambasadës për të mbështetur nisma që fuqizojnë profesionistët shqiptarë të shëndetësisë, nxisin shkëmbimin e përvojave dhe forcojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.



