Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, priti në Ambasadë z. Saimir Shala, Drejtor Ekzekutiv i Albanien Reisen, agjenci me qendër në Zvicër, e specializuar në organizimin e udhëtimeve drejt Shqipërisë.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimi i mëtejshëm i turizmit shqiptar dhe mundësitë e bashkëpunimit për promovimin e Shqipërisë në tregun zviceran. U vlerësua interesi në rritje i turistëve zviceranë për vendin tonë dhe potenciali që ofron Shqipëria për zhvillimin e mëtejshëm të shkëmbimeve turistike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së organizimit në Shqipëri të një konference të përbashkët me operatorë turistikë zviceranë, me synim forcimin e lidhjeve profesionale dhe nxitjen e bashkëpunimit në këtë sektor.
Ambasadori Dredha vlerësoi rrugëtimin sipërmarrës të z. Shala, i cili, pas një karriere në teknologjinë e informacionit, iu përkushtua promovimit të Shqipërisë. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e tij në prezantimin e ofertës turistike shqiptare në Zvicër dhe i uroi suksese të mëtejshme.



