Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë vijoi shpërndarja falas e teksteve shkollore për nxënësit që ndjekin klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër.
Me këtë rast, Ambasadori Ermal Dredha priti mësueset dhe mësuesit e gjuhës shqipe, me të cilët diskutoi mbi ecurinë e mësimit, sfidat e hasura dhe mundësitë për adresimin e tyre, me synim përmirësimin e mëtejshëm të mësimdhënies.
U shpërndanë tekste shkollore për të tri nivelet e mësimit, që mbulojnë klasat e para deri në të nëntat dhe u ofrohen nxënësve pa pagesë.
Ambasada do të vijojë të mbështesë mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër dhe përpjekjet e mësuesve e të prindërve për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj.



