Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, priti në Ambasadë përfaqësuesit e Ansamblit “URA”, me seli në Dübendorf të kantonit të Zyrihut: kryetarin z. Besijan Hoxhaj dhe anëtarët e kryesisë, znj. Besjana Shahinaj dhe z. Dijar Rashiti.
Gjatë takimit, përfaqësuesit prezantuan veprimtarinë dhe synimet e Ansamblit, i cili, ndonëse i krijuar së fundmi, bashkon të rinj me përvojë disavjeçare në artin shqiptar.
Ambasadori Dredha i përgëzoi për nismën dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj në diasporë. Ai shprehu mbështetjen e Ambasadës dhe gatishmërinë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të festave të Nëntorit.



