Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, vizitoi panairin IMMO EXPO Zürich, ku u prezantuan projekte turistike dhe rezidenciale nga Saranda, Vlora, Velipoja dhe Shëngjini, duke sjellë pranë publikut zviceran potencialin turistik dhe mundësitë e investimit në bregdetin shqiptar.
Gjatë vizitës, Ambasadori u takua me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, z. Oltion Çaçi, dhe sipërmarrës shqiptarë pjesëmarrës në panair. Takimet shërbyen për t’u njohur me projektet e ekspozuara dhe perspektivat e tyre për zhvillimin e turizmit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Zvicrën.
Pjesëmarrja shqiptare ndërthuri promovimin e destinacioneve bregdetare me prezantimin e mundësive konkrete të investimit, duke krijuar hapësira për kontakte dhe partneritete të reja.
Ambasada do të vijojë të mbështesë nismat që forcojnë praninë e Shqipërisë në tregun zviceran dhe nxisin lidhjet me investitorë e partnerë të rinj.



