Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, mori pjesë në mbrëmjen e organizuar në Lozanë nga shoqata “Miqtë e ISEAL-it”, gjatë së cilës u prezantua revista studimore “La revue ISEAL”, me kryeredaktor gazetarin zviceran Alain Maillard.
Në këtë veprimtari, Ambasadori i dorëzoi z. Driton Kajtazi, themelues dhe drejtor i Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL), një Certifikatë Mirënjohjeje në emër të Ambasadës, në vlerësim të përkushtimit të tij shumëvjeçar ndaj arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Ambasadori Dredha theksoi rolin e ISEAL-it në njohjen dhe promovimin e trashëgimisë dhe kontributit të shqiptarëve në Zvicër, si dhe në forcimin e dialogut dhe miqësisë ndërmjet dy popujve. Ai vlerësoi dijen dhe kulturën si ura të rëndësishme të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.



