Ambasadori i RSH-së në Bernë, z.Mustafa Nano, i shoqëruar nga z.Gjergji Hamiti, Drejtor i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, dhe znj.Nevila Bejleri, Drejtore e Shërbimeve Financiare dhe Bankare në Postën Shqiptare, zhvilluan ditën e djeshme (30.04.2024) në Bernë, një takim të frytshëm e konstruktiv me Drejtorin e Përgjithshëm të Unionit Postar Universal (UPU)*, z. Masahiko Metoki dhe zv/Drejtorin e Përgjithshëm, z. Marjan Osvald.
Në këtë takim u diskutua mbi nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes Postës Shqiptare dhe UPU, mbështetjen mbi përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të modernizuar sektorin postar përmes procesove të digjitalizimit, inovacionit dhe rritjes së kapaciteteve, si dhe orientimit të mëtejshëm sektorial drejt veprimeve klimatike.
Ambasada e RSH në Bernë në bashkëpunim me Postën Shqiptare është e angazhuar në organet e Institucioneve Ndërkombëtare për të rritur peshën e saj strategjike si një aktor me potencial zhvillimi në tregun rajonal postar, e-commerce dhe të shërbimeve financiare.
Ambasadori Nano, i paraqiti gjithashtu një ftesë zyrtare z.Metoki për të qenë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të PostEurop, e cila do të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm.
*I themeluar në 1874, Unioni Postar Universal (UPU), i vendosur në Bernë, është organizmi i dytë ndërkombëtar më i vjetër në botë. Me 192 vende anëtare, UPU është një prej platformave më të mëdha të bashkëpunimit dhe dialogut ndërkombëtar të sektorit postar. Si një entitet i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ai ndihmon të sigurojë një rrjet të gjerë universal mbi përditësimin e produkteve dhe shërbimeve për anëtarët e saj. Posta Shqiptare është anëtare e UPU prej vitit 1922. Këtë vit Unioni shënon 150-vjetorin e krijimit të tij.