Shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër, ka marrë iniciativën për t’i dhuruar shtatoren e Skënderbeut arbëreshëve të Italisë dhe për këtë, më datë 13 prill 2024, në Kriense të Lucernës, u mbajt një koncert me grupe kulturo-artistike shqiptare. Motoja “Skënderbeu na bashkon”, mblodhi në këtë aktivitet 16 grupe kulutro-artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori i RSH-së në Bernë, Mustafa Nano, Sekretari i Parë i Ambasadës, Valon Gashi, Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zyrih, Vigan Berisha, si dhe mësues e veprimtarë.
Ambasadori Nano, në fjalën e tij përshëndetëse, duke i përgëzuar për këtë iniciativë dhe siguruar mbështetjen e plotë të Ambasadës, potencoi se përtej të gjithave, fakti që shqiptarët e Zvicrës, kujtohen për t’i bërë një dhuratë Horës së arbëreshëve, nuk është thjesht një kontribut financiar, por është një akt komunikimi dhe bashkëpunimi midis shqiptarësh dhe kjo është emocionuese.
Pavarësisht integrimit në shoqërinë zvicerane, shqiptarët në Zvicër ruajnë dhe promovojnë identitetin e tyre kulturor duke organizuar aktivitete kulturore, festa tradicionale, si dhe mbajnë lidhje me komunitetin shqiptar në vende të tjera, siç është edhe ky rast, me arbëreshët e Italisë.