Në mbrëmjen e 23 prillit 2026, në ambientet e Galerisë Moshek në Clarens–Montreux, u zhvillua hapja e ekspozitës personale të artistes R.C. Anaider, një ngjarje që solli së bashku dashamirës të artit dhe përfaqësues të komunitetit.
Ekspozita prezantoi ciklin më të fundit të veprave të saj, “Gruaja Matrioshkë”, një koleksion i frymëzuar nga romani me të njëjtin titull, ku figura femërore shpaloset si një simbol i shtresëzuar i jetës, përvojave dhe transformimeve. Përmes pikturave, artistja fton në një udhëtim introspektiv drejt thelbit të identitetit femëror, duke zbërthyer kujtesat, ndjesitë dhe botën e brendshme që ndërtojnë qenien njerëzore.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, i cili vlerësoi rëndësinë e artit dhe të shprehjes artistike në forcimin e dialogut kulturor dhe në promovimin e vlerave të komunitetit shqiptar në Zvicër. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai theksoi rolin e diasporës si urë lidhëse mes kulturave dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj iniciativave artistike.
Gjatë mbrëmjes, atmosfera u pasurua edhe nga interpretimet muzikore të artistes së njohur shqiptare znj. Mimoza Nazarko, si dhe të Edmond Bashës dhe Gent Bajramit, të cilët sollën këngë shqiptare për të pranishmit, duke i dhënë aktivitetit ngjyra të veçanta artistike.
Ekspozita u shoqërua me një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëbisedim të hapur mes të pranishmëve dhe artistes, duke e kthyer këtë mbrëmje në një moment të veçantë reflektimi dhe vlerësimi për artin bashkëkohor.



