Bled, Slloveni, 2 shtator 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, mori pjesë sot në panelin “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim” në kuadër të Forumit Strategjik të Bled-it 2025.
Në fjalën e tij, ministri Hasani theksoi se “Rinia është motori kryesor i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Përfshirja e saj në procesin e integrimit evropian është e pazëvendësueshme.”
Ai nënvizoi se Shqipëria po vendos të rinjtë në qendër të procesit të integrimit, përmes nismave që forcojnë rolin e tyre si kontribues aktivë për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Forumi Strategjik i Bled-it, që këtë vit shënon 20-vjetorin e tij, është një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore, duke bashkuar udhëheqës botërorë, politikëbërës, përfaqësues të biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile për dialog strategjik dhe bashkëpunim në nivel të lartë.