Bled, Slloveni, 2 shtator 2025 – Me ftesë të znj. Tanja Fajon, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Jashtme e Sllovenisë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, zhvilloi një takim me homologët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Forumit Strategjik të Bled-it.
Diskutimet u përqendruan në çështje kyçe si integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, siguria rajonale dhe bashkëpunimi ekonomik.
Ministri Hasani theksoi se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është jo vetëm një objektiv kombëtar, por edhe një domosdoshmëri për gjithë rajonin. Ai nënvizoi se, përmes bashkëpunimit më të ngushtë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, Ballkani Perëndimor mund të sigurojë një të ardhme më të qëndrueshme, më të bashkuar dhe evropiane.
Forumi Strategjik i Bled-it, i organizuar çdo vit në Slloveni, shërben si një platformë e rëndësishme për dialog të nivelit të lartë dhe bashkëpunim strategjik ndërmjet liderëve, politikëbërësve dhe partnerëve ndërkombëtarë.