Një grup intelektualësh shqiptarë, siç janë: Adem Kicaj, Dashnim Hebibi, Rafet Ademi, Perparim Sabriu, me mbështetje të Ambasadës së RSH-së dhe veprimtarëve të tjerë në Zvicër kanë ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme për ta emërtuar një shesh në qytetin Lugano me emrin e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiut (Moissi). Për të marrë mbështetjen e nevojshme për këtë projekt, ata u pritën dje nga Ambasadori i RSH-së në Bernë, z.Mustafa Nano dhe Sekretari i Parë Valon Gashi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku intelektualët prezantuan rëndësinë historike dhe kulturore të këtij projekti për Aleksandër Moisiun, një nga figurat më të shquara të teatrit dhe kinemasë shqiptare, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin botëror.
Intelektualët theksuan se emërtimi i një sheshi me emrin e Moisiut në pjesën italo-folëse, aty ku ka jetuar dhe ka shtëpinë, do të ishte një njohje e merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe një simbol i lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe Zvicrës. Ata shprehën bindjen se ky akt do të promovojë më tej kulturën shqiptare dhe do të forcojë miqësinë mes dy vendeve.
Ambasadori Nano shprehu mbështetjen e plotë të Ambasadës së RSH-së për këtë iniciativë dhe u zotua të ndihmojë në çdo hap të procesit për të siguruar që kjo ide të bëhet realitet. Ai vlerësoi punën dhe përkushtimin e intelektualëve për të promovuar kulturën dhe historinë shqiptare jashtë vendit.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti ambicioz, i cili pritet të ketë një ndikim pozitiv në promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.