Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë organizoi më 24 nëntor 2025 pritjen solemne në prag të Festave të Nëntorit, si dhe në nderim të 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Zvicër.
Në përshëndetjen e saj, Zj. Monika Zguro, E Ngarkuar me Punë, uroi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë historike të Pavarësisë së Shqipërisë, një moment themelor i identitetit tonë kombëtar. Ajo nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri–Zvicër, të ndërtuara mbi besim, dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm në fusha politike, ekonomike e shoqërore. Zj. Zguro vlerësoi gjithashtu integrimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe marrëdhëniet shumë të mira me Principatën e Lihtenshteinit në fusha me interes të përbashkët.
Nga ana tjeter, Ambasadori Pierre-Yves Fux, Drejtor i Euroazisë në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, theksoi se Zvicra ka qenë një partner i qëndrueshëm i Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit, duke ndihmuar në forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, decentralizimin dhe sundimin e ligjit. Ai vuri në dukje investimet zvicerane në sektorë strategjikë dhe vlerësoi Shqipërinë si një vend mik me vlera të përbashkëta demokratike dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Mbrëmja u hap me interpretimin solemn të tre himneve shtetërore – të Shqipërisë, Zvicrës dhe Lihtenshteinit – nga dy artistët shkodranë Znj. Gentjana Tafili (soliste) dhe Z. Rafael Lishi (fizarmonikë), të cilët krijuan një atmosferë të ndjerë dhe mbresëlënëse. Artisja e talentuar Flutura Bytyqi vijoi programin me një interpretim delikat në piano, me kompozime të frymëzuara nga motivet shqiptare.
Pritja u pasurua nga ekspozita “Koleksioni Etnografik Kristian Zefi”, e cila prezantoi xhubleta, veshje tradicionale, gravura dhe litografi historike, një paraqitje e jashtëzakonshme e trashëgimisë sonë kulturore.
Të ftuarit patën mundësinë të shijojnë gatime tradicionale shqiptare, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të kulturës, artit dhe miqësisë midis dy popujve.
Ambasada falënderon me mirënjohje të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre.
Gëzuar Festat e Nëntorit!



