Për herë të parë, Shqipëria organizoi një aktivitet në ambientet e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 66-të. Nën temën “Treguesit Gjeografikë dhe Shprehjet e Traditës Kulturore”, vendi ynë u prezantua me produkte unike si: vaji i ullirit “Valmi” nga Elbasani, mjalti i Bedunicës, kërpudha e Pukës, qepa e thatë e Drishtit, kumbulla e Shumbatit dhe glikoja e Përmetit.
Mbrëmja u pasurua nga një performancë magjepsëse e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, si dhe ekspozimi i veshjeve tradicionale shqiptare që ngjallën interes dhe vlerësim nga delegatët ndërkombëtarë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, i cili përfaqësoi Ambasadën në promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përpara publikut global.










