Në ambientet e Ambasadës së RSH-së në Bernë, mirëpritëm sot Kryesinë e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Neuchatelit, një organizatë e rëndësishme që mbledh rreth vetes mbi 100 studentë shqiptarë, të cilët studiojnë në këtë universitet prestigjioz në fusha të ndryshme si Shkencat Ekonomike, Juridike, Drejtësia dhe Antropologjia.
Takimi u fokusua në sfidat dhe mundësitë që përjetojnë studentët shqiptarë në këtë universitet, si dhe në aktivitetet e përbashkëta që mund të planifikojmë të organizojmë me Shoqatën në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, si shfaqjen e një filmi shqiptar për studentet në këtë Universitet dhe eksopzitën historike që përkon me 80-vjetorin e çlirimit të vendit. Gjithashtu, u bisedua për projekte të përbashkëta që synojnë promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe pasurimin e njohurive mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Delegacionin e Shoqatës e përbënin: znj. Artina Kastrati, Kryetare; znj. Liza Morina, Nënkryetare; znj. Erisa Shala, Sekretare; znj. Mejreme Thaqi, Arkëtare; dhe z. Arber Gashi, Menaxher i Komunitetit të Studentëve.
Përfaqësuesi i Ambasadës, Sekretari i Parë, z. Valon Gashi, vlerësoi përpjekjet e Shoqatës për ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar dhe u angazhua për mbështetje në projektet e përbashkëta që do të pasojnë.
Newsroom
Takim me studentët shqiptarë të Universitetit të Neuchatelit