Më 15 dhjetor 2025, u zhvillua në Bernë raundi i radhës i konsultimeve politike mes delegacioneve të Shqipërisë dhe Zvicrës. Delegacioni i palës shqiptare kryesohej nga Z. Gazmend Barbullushi, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa delegacioni zviceran kryesohej nga Z. Pierre-Yves Fux, Drejtor i Divizionit për Euroazinë në Departamentin Federal për Punët e Jashtme.
Gjatë takimit, palët zhvilluan diskutime shumë frytdhënëse mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe institucional, çështjet rajonale dhe zhvillimet multilaterale, si dhe Kryesimin e Zvicrës në OSBE në vitin 2026. Të dyja palët analizuan ecurinë e marrëdhënieve dhe përcaktuan piketat e bashkëpunimit për vitin e ardhshëm. Konsultimet riafirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zvicrës.



