Administratori i Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj, zhvilloi në Bernë një takim me Drejtorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Postës Zvicerane, z. Aime Theubet, me fokus forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën postare dhe atë të shërbimeve financiare.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu znj. Monika Zguro, E Ngarkuara me Punë, si dhe z. Artemon Cukalla, Drejtor i Kabinetit në Postën Shqiptare.
Diskutimet u përqendruan në identifikimin e mundësive të reja bashkëpunimi, veçanërisht në shërbimet financiare dhe ato që lidhen drejtpërdrejt me diasporën shqiptare në Zvicër, me synimin për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të krijuar lehtësi konkrete për bashkëkombësit tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Takimi riafirmoi angazhimin e institucioneve për të ndërtuar ura bashkëpunimi të qëndrueshme, në funksion të zhvillimit të shërbimeve moderne dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen.



