Ambasadori z. Ilir Gjoni priti në ambasadë, nxënësit, këshillin e prindërve të shkollës Shqipe të Ostermundigenit në Bernë, si edhe mësuesen e kësaj shkolle znj. Idaije Jashari.
Z.Gjoni, vlerësoi dëshirën dhe vullnetin e fëmijëve dhe prindërve për mësimin e gjuhës shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë, tha z. Gjoni, është një aset i jashtëzakonshëm, sepse mban lidhjet me vendin, me trevat shqiptare, por, njëkohësisht shërben si urë komunikuese midis vendit ku jetojmë dhe vendit tonë.
Ambasadori vlerësoi dhe përgëzoi në mënyrë të veçantë mësuesen e shkollës znj. Idaije Jashari për rolin dhe kontributin e madh që ajo luan në promovimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Gjatë takimit z. Gjoni informoi të pranishmit, për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit të Bernës me mbështetjen financiare të Ministrisë së Arsimit në Tiranë.