Sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës. Me krenari kujtojmë se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku pas Luftës së Dytë Botërore pati më shumë hebrenj se sa në fillimin e saj.
Shqiptarët jo vetëm u dhanë strehë hebrenjve vendas, por edhe atyre refugjatë që hynë në Shqipëri nga vendet fqinje dhe nga Europa qendrore. Ky veprim fisnik bazohej në kodin shqiptar të BESËS, një prej parimeve të shenjta shqiptare të nderit e fjalës së dhënë që nënkupton një angazhim të pazëvendësueshëm kundrejt mikut. Në dritën e kësaj vepre të popullit shqiptar, Shqipëria, në vitin 2019 u bë i pari vend në botë i shpallur nga Fondacioni Ndërkombëtar Raoul Wallenberg si “Shtëpia e Jetës”.
Ky 27 Janar, 77 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq nazist të Aushvic-Birkenaut, është një moment reflektimi dhe kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit dhe ekstremizmave të çdo lloji.