Ambasada e RSH-së në Bernë, uron mësuesit shqiptarë në Zvicër dhe kudo ku ndodhen, “Gëzuar festën e 7 marsit!”
Kjo datë shënon përvjetorin e hapjes së Mësonjëtores së Parë shqipe në qytetin e Korçës, duke u trashëguar si dita më e bukur e nderimit të përhapësve të arsimit shqiptar nëpër gjithë botën. Në këtë ditë ne përkujtojmë me nderimin më të madh të gjithë mësonjësit patriotë që punuan dhe luftuan për të mbrojtur dhe përhapur gjuhën shqipe, dijen dhe ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Sot, edhe më e madhe është mirënjohja jonë për të gjithë atë gjeneratë mësuesesh dhe mësuesish që me sakrifica, këmbëngulje dhe ndërgjegje të lartë identitare, vazhdojnë misionin fisnik, të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Zvicër. Ky kontribut i tyre me dëshirë dhe vullnet të lartë qytetar e atdhetar, është merita më e madhe dhe oferta më e shkëlqyer për ardhmërinë e gjuhës dhe arsimit amtar në Diasporën tonë.