Të nderuar bashkatdhetarë në Zvicër dhe kudondodheni,
Sot, më 28 nëntor, festojmë së bashku 109 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një akt historik për popullin shqiptar në të gjitha trojet.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqëson fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në Luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar. Prandaj çdo përvjetor pavarësisë së Shqipërisë, është një ngjarje e rëndësishme historike që festohet gjerësisht nga kombi shqiptar.
Ne u jemi mirënjohës popujve dhe kombeve, që mbështetën dhe përkrahën përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Ky vit shënon po ashtu dhe 77 vjetorin e çlirimit të atdheut nga nazi-fashistët gjatë Luftë së Dytë Botërore, duke e renditur Shqipërinë krah fituesve. Ky është po ashtu një moment reflektimi dhe mirënjohje për ata të rinj e të reja që 77 vjet më parë luftuan dhe dhanë jetën për idealet e lirisë, për një Shqipëri të çliruar nga zgjedha e okupatorit.
Ambasada e RSH-së në Bernë u shpreh mirënjohjen të gjithë shqiptarëve në Zvicër për kontributin e tyre për një imazh të një Shqipërie me vlera historike, kulturore, turistike, dhe me dëshirën që këto festa, të na shërbejnë si nxitje edhe më shumë për të përbashkuar tërë potencialin tonë mendor dhe veprues, me një dëshirë, një qëllim dhe nën një betim të një Shqipërie të integruar vizionare drejt një Evrope të bashkuar.
GËZUAR FESTAT E 28 DHE 29 NËNTORIT