Sot në Gjenevë, u organizua ceremonia inauguruese e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Zvicër (ALSWISS), nismë e një grupi sipërmarrësish shqiptarë dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Kantonit të Gjenevës.
Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm dhe përshëndeti, zoti François Lefort, Kryetar i Parlamentit të Kantonit e Republikës së Gjenevës, Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Gjenevës zoti Vincent Subilia si dhe Ambasadori i RSH, në Bernë Ilir Gjoni.
Takimi u përshëndet "via zoom" edhe nga zoti A. Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, zoti S.Çili, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë Zvicër-Shqipëri me seli në Tiranë si dhe drejtuesi i Universitetit M. Barleti z. A.Dudaj. Në emër të grupit nismëtar përshëndetën zotërinjtë E. Yzeiraj dhe F. Demneri.
Themelimi i ALSWISS përbën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Realizimi i saj u bë i mundur falë angazhimit dhe punës së bashkërenduar mes përfaqësuesve të bizneseve shqiptare në Zvicër e Shqipëri, diplomatëve të Ambasadës shqiptare në Bernë dhe mbështetjes së pakursyer të Dhomës së Tregtisë së Gjenevës.
Krijimi i ALSWISS pikërisht në këtë situatë të vështirë është një shembull shprese dhe do të shërbejë si gjeneratore e energjive dhe mundësive të reja që i ofrohen bizneseve shqiptare e zvicerane. Ajo do të jetë një derë e hapur dhe një instrument i vyer në duart e bizneseve shqiptare që dëshirojnë të realizojnë këmbime tregtare e ekonomike mes Shqipërisë dhe Zvicrës.