Në mjediset e Ambasadës së RSH në Bernë u mbajt nje nga pasditet e ciklit te aktiviteteve të titulluara « Dialog në Muri » një nismë e re kjo e Ambasadës së RSH në Zvicër, me prezantimin e disa botimeve të ISEAL. Konkretisht u prezantuan « Kosova: Histori e pranishme e një shteti të ri » (Kosova : Histoire présente d'un nouvel état) ; « Rrënjë për tu rritur gjetiu »,botim në gjuhët frenge dhe shqipe) ; « Urtësi nga Kosova » (botim në gjuhët shqipe, frenge, gjermane, italiane dhe angleze.)
Librat u prezantuan nga z. Driton Kajtazi, Drejtor i ISEAL dhe Dr. Olivier Meuwely, historian, Shef i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kantonit të Vaud, autor, anëtar i Këshillit të Fondacionit ISEAL.
Në përshëndetjen e tij ambasadori i Shqipërisë I.Gjoni uroi ISEAL dhe njëkohësisht falenderoi gjithë bashkëpunëtorët e kësaj organizate për kontributin e tyre të çmuar ndër vite jo thjesht dhe vetëm në ruajtjen e pasurimin e vlerave tona kombëtare në diasporë, por dhe çka është shumë e rëndësishme, për rolin e tyre të pamohueshëm si urë lidhëse mes komunitetit shqiptar dhe atij zviceran e për më tepër si nje instrument i pazëvëndesueshëm integrimi i shqiptarëve në Zvicër e më konkretisht ne kantonin e Vaud. Më tej ai nënvizoi faktin se librat që prezanton janë një shembull i qartë i përçimit të vlerave tona si komb, përpjekjeve të vazhdueshme tonat për të ecur pa ngurruar në rrugën e ndryshimeve, barazisë, tolerancës, shkencës dhe zhvillimit, trasuar prej figurave më të ndritura të kombit tonë me dëshirën që të jetojmë përherë të bashkuar, në harmoni me njëri tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen dhe duke ndihmuar të ardhmen.
Ambasadori Gjoni po ashtu anunçoi nismën e re të Ambasadës që do të quhet “Dialog në Muri”, përmes së cilës synohet të organizohen, në intervale të rregullta kohe, diskutime e debate lidhur me problematikat që has diaspora shqiptare, çështje të integrimit të brezave të rinj, si dhe aspekte të ekonomisë, politikës se jashtme të Shqipërisë e Kosovës dhe ndërveprimit mes diasporës dhe vendit amë.