Shqipëri – Zvicër/ Memorandum Bashkëpunimi me Agjencitë e Turizmit

Dje, më datë 08.05.2023 në Zyrih, Shqipëria dhe Zvicra nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi (MoU) në fushën e Turizmit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë (AKT), Znj. Zana Çela-Rama, dhe Z. Federico Sommaruga, Drejtor i Tregjeve në Zhvillim dhe Projekteve Speciale në Turizmin Zviceran (ST).

Prezentë gjatë firmosjes ishin Ambasadori i RSH-së në Bernë, Z.Ilir Gjoni dhe Z.Pascal Prinz, Drejtor i Llogarive Globale në Turizmin Zviceran (ST).

Sipas MoU, Shqipëria dhe Zvicra do të forcojnë dhe zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke përfshirë:
- Asistencën në vendosjen e kontakteve me organizatat përkatëse, qasjet ndaj turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare,
- Asistencën për zhvillimin dhe poromovimin e produkteve për turistët shqiptarë dhe zviceranë në bashkëpunim me federatat lokale të agjensive të turizmit, përgjegjëse për mbështetjen e turizmit të jashtëm.

Dy vendet do të shkëmbejnë informacion mbi aktet ligjore që rregullojnë turizmin, statistikat mbi turizmin dhe përvojën e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve turistike. Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimorë të angazhuara në trajnimin e personelit profesional në fushën e turizmit.

Gjithashtu, Shqipëria dhe Zvicra do të ndihmojnë njëra tjetrën në organizimin e ekspozitave dhe forumeve të turizmit, si dhe të vizitave informative për përfaqësuesit e turizmit dhe mediave të të dy vendeve, me qëllim njohjen me infrastrukturën dhe produktet turistike.

Po ashtu gjatë vizitës, z.Sommargu shoqëroi delegacionin shqiptar në ambientet e Organizatës Kombëtare dhe Marketingut të Turizmit Zviceran.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Pourtalesstrasse 45 A,
CH-3074 Muri bei, Bern

Tel / Fax

Tel. +41319526010
Fax +4131 9526012
Nr. i emergjences: +41774099729

E-MAIL

embassy.bern@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00