Në një takim të rëndësishëm që u zhvillua pasditen e djeshme (29.05.2024) në Lucern të Zvicrës, mori pjesë edhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, Valon Gashi. Ky takim, organizuar nga Rrejti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore me udhëheqësit e saj z.Visar Robelli dhe z.Florim Useini, u fokusua në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve ndërmjet vendeve të origjinës dhe diasporës shqiptare në Zvicër, ku morën pjesë Ministri i Zhvillimit Rajonal RKS-së, z.Fikrim Damka, përfaqësues te Ambasadës se RKS-së, sipërmarrës nga te gjitha trojet dhe gazetar.
Gjatë takimit, Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, z.Fikrim Damka, theksoi rëndësinë e përfshirjes së sipërmarrësve shqiptarë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rolin kyç që ata mund të luajnë në nxitjen e investimeve në vendet e origjinës dhe u bëri thirrje sipërmarrësve që të angazhohen aktivisht në këtë proces.
Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, V.Gashi në fjalën e tij, vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fusha të ndryshme për Diasporën, përfshirë atë ekonomike. Ai theksoi se një bashkëpunim i tillë jo vetëm që forcon lidhjet midis dy vendeve, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë shqiptarëve. Z.Gashi gjithashtu përgëzoi organizatorët për iniciativën dhe shprehu mbështetjen e plotë të Ambasadës së Shqipërisë për aktivitete të tilla që synojnë forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes komuniteteve shqiptare në diasporë dhe vendeve amë.
Takimi u mbyll me një diskutim të hapur, ku sipërmarrësit shqiptarë ndanë përvojat dhe sfidat e tyre, dhe u bënë propozime konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm. Ky takim pritet të pasohet nga aktivitete të tjera të ngjashme, që synojnë thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe diasporës shqiptare në Zvicër.