Vizitë zyrtare e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti, në Zvicër

Ministri i Bujqësisë, i Zhvillimit Rural dhe i Administrimit të Ujërave nga Shqipëria, z.Edmond Panariti, zhvilloi në datë 24 tetor 2016 një vizitë zyrtare në Zvicër ku u takua me homologun e tij zviceran Prof. Dr.Bernard Lehmann, me zv/drejtorin e Zyrës Federale të Bujqësisë z. Adrian Aebi, si dhe Kryetarin e Agroturizmit zviceran z. Andreas Allenspach.

Në takimet zyrtare palët diskutuan mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe agroturizmit. Pala zvicerane u angazhua të ndihmojë palën shqiptare përmes ofrimit të eksperiencës kryesisht në fushën e blegtorisë, por edhe atë të kërkimit shkencor. U ra parimisht dakord që së shpejti të dërgohet një grup ekspertësh zviceranë për të bërë një vlerësim të situatës si edhe për të vijuar më tej me projekte konkrete sidomos në shqyrtimin e mundësisë të zëvendësimit të gjedhit në zonat malore të Shqipërisë të dëmtuar nga sëmundja e Dermatozës Nodulare, me lope të racave zvicerane të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë. U ra po ashtu dakord për dhënien e ekspertizës zvicerane në drejtim të kontrollit të farave, barnave e inputeve të tjera bujqësore.

Një aspekt i rëndësishëm i takimeve ishte dhe shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit në fushën e agroturizmit si dhe gjetja e mënyrave më efikase për të rritur këmbimet tregtare në fushën e produkteve bujqësore, blegtorale si dhe bimëve medicinale.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Pourtalesstrasse 45 A,
CH-3074 Muri bei, Bern

Tel / Fax

Tel. +41319526010
Fax +4131 9526012
Nr. i emergjences: +41774099729

E-MAIL

embassy.bern@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00