Z. Mustafa NANO
Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës
Ambasador
Miq,
Emërimi në postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë në Konfederatën e Zvicrës dhe në Principatën e Lihtenshteinit përbën një moment të veçantë në jetën time, dhe kjo jo thjesht se me këtë jeta më ka marrë një kthesë pothuaj të pabesueshme, por sepse për herë të parë do më duhet t’i shërbej vendit ndryshe, me një motivim e energji të re, si një civil servant. Jam përballë një sfide që më ngacmon si asgjë tjetër më herët, e që qysh tani më ka bërë të rishqyrtoj shumë gjëra brenda vetes, deri edhe marrëdhënien me vendin tim e me bashkëkombësit e mi.
Kjo ndjesi a gjendje e imja nuk ka të bëjë vetëm me faktin se do më duhet t’i shërbej vendit tim si Ambasador, por edhe me faktin se këtë gjë do ta bëj në Zvicër, në këtë vend ku soji i njeriut ka bërë/nxjerrë më të mirën e vet, duke i dhënë botës një model gati të përsosur qeverisjeje, paqeje, stabiliteti, begatie e bashkëjetese. Nuk ka asnjë popull në këtë planet që të mos ketë se çfarë të mësojë nga Zvicra.
Personalisht, më ka ardhur si një befasi e bukur kuturisja e ndonjë autori të huaj të gjysmës së parë të shekullit XIX për ta parë Shqipërinë e kohës si një vend me potencial zviceran. Arsyet pse Shqipëria u sillej si një Zvicër e së nesërmes nuk dalin shumë të qarta (Malet e malësorët? Apo ndoshta edhe diversiteti fetar?), por kjo nuk i pengoi disa rilindës tanët që ta bënin të tyren këtë “paralele” të pamundur, dhe ta përfytyronin Shqipërinë e së ardhmes shí si një Zvicër të dytë.
Shqipëria afërmendsh nuk u bë Zvicër asnjë herë, por ka ndodhur diçka tjetër e bukur: shumë shqiptarë, si të kenë dashur t’i japin se s’bën një kuptim dëshirës së rilindësve, për të cilën sapo fola, e kanë bërë tanimë Zvicrën një atdhe të dytë. Mijëra shqiptarë të Kosovës jetojnë këtu prej disa gjeneratash. Një pjesë e tyre janë të integruar, dhe të tjerët janë duke u përpjekur të arrijnë të njëjtën gjë. Ata duhen inkurajuar në këtë proces integrimi, por në të njëjtën kohë, në përpjekje për të ruajtur e forcuar lidhjet e tyre me vendin e identitetin e origjinës, le ta dinë se derën e Ambasadës Shqiptare do ta kenë si gjithnjë të hapur, në të njëjtën masë që do ta gjejnë të hapur edhe ata që kanë një pasaportë të Republikës së Shqipërisë. Ambasada e RSH-së në Bernë do të jetë në shërbim të të dytëve e në dispozicion të të parëve. Jo vetëm sepse e kemi për detyrë, por edhe sepse shqiptarët e Zvicrës janë një premisë, madje edhe garanci, për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona.
Këto marrëdhënie, dihet, nuk kanë të sharë, por forcimi i tyre do të jetë një përparësi në veprimtarinë time diplomatike. Dhe kjo përparësi nuk ka të bëjë me ndonjë predispozicion timin. Përkundrazi, përbën qëllimin e themelin e punës së çdo Ambasadori.
Ju përshëndes!
Curriculum vitae
Mustafa Nano është gazetar, shkrimtar dhe personalitet i njohur i jetës publike në Shqipëri.Fillimisht ka ushtruar profesionin e inxhinierit elektronik, pas diplomimit në këtë fushë në Universitetin e Tiranës në vitin 1985. Në periudhën 1990-1994 është marrë me veprimtari politike.Nga viti 1995 deri në vitin 1997 ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Jashtme dhe më pas në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kroaci.Që nga viti 1997 e në vazhdim ai ka shkruar për një sërë gazetash ditore si Shekulli, Korrieri, Shqip etj.
Ai gjithashtu ka moderuar disa programe televizive, si Déjà Vu në Top-Channel, Provocacija në ABC News dhe Arnautistan në MCN TV.Gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar, ai është përfshirë në mënyrë të bujshme në debatin publik, veçanërisht në çështjet e politikës, kulturës, historisë, fesë etj., ku ka rënë në sy për qëndrimet e tij të diskutueshme dhe të menduarit “jashtë kutisë”.Ai ka ushtruar edhe rolin e intelektualit publik në fushën e interpretimeve në sallat e Teatrit.Ka dhënë disa shfaqje, të një zhanri që ndërthur diskursin publik dhe stand-up komedinë, përmes të cilave ka vazhduar të mbrojë të njëjtat ide dhe të mbajë të njëjtat qëndrime me një gjuhë skenike.Megjithatë, kontributi i tij më i rëndësishëm është si shkrimtar.Pas vitit 2000 botoi një sërë librash, nga të cilët tërhoqi vëmendjen “Red Landi”, i cili është një përshkrim imagjinar me disa elementë biografikë të jetës në kohën e regjimit komunist, librat studimorë “Pax albanica”, “Sandwich” dhe “Gegë e toske”, gjyqet “Si kam njohur” dhe “Provokatori”, si dhe romanet “Lamtumirë baba” dhe “Një javë në Manastir”.
Mustafa Nano iu rikthye diplomacisë në vitin 2023. Më 12 korrik të këtij viti u dekretua nga Presidenti i Republikës si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës dhe Principatën e Lihtenshtajnit, detyrë të cilën e mori në29 shtator 2023. Aktualisht është banues në Bernë.Z. Mustafa Nano flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht dhe ka njohuri të mira të frëngjishtes.