Ministri Hasani: “Çojmë në një tjetër nivel bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së”
Tiranë, 8 Prill 2025 – Në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas është mikpritur nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Igli Hasani.
Gjatё takimit, palët kanë diskutuar për një sërë çështjesh me rëndësi, duke nisur nga rrugëtimi i Shqipërisë në BE, angazhimi i përbashkët në pёrparimin e Ballkanit Perëndimor drejt së ardhmes euro-atlantike, ruajtja e paqes dhe vlerave demokratike në Evropë e në mbarë botën etj.
Ministri Hasani e ka konsideruar takimin me znj. Kallas si “Një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer mendime dhe për të theksuar bashkëpunimin e suksesshëm dhe efikas mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes”, ndërsa ka nënvizuar se Shqipëria ruan angazhimin e saj të palëkundur dhe është plotësisht e përgatitur për të çelur grup-kapitujt deri në 2025 dhe për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të 2027. “Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i pandalshëm!”, shprehet Ministri Hasani.
Ndërkohë, në mjediset e MEPJ u lançua edhe sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen, i cili vjen në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje, të nënshkruar më parë, në dhjetor 2024, midis Shqipërisë dhe BE-së.
Në fjalën e tij hapëse, Ministri Hasani nënvizoi se ky dokument partneriteti ka hapur tashmë rrugën për një bashkëpunim dhe dialog më të ngushtë mbi çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Sot po kalojmë nga vizioni drejt veprimeve konkrete. Për një vend si Shqipëria që është plotësisht e linjëzuar dhe besnike me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ky dokument është një shprehje e angazhimit tonë të përbashkët për të punuar edhe më ngushtë së bashku në përballimin e sfidave të ndërlikuara të kohës që po jetojmë. Po ashtu, ai pasqyron qartë progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE dhe rolin në zhvillim që po marrim në arkitekturën kolektive të sigurisë në Evropë.” – u shpreh Ministri Hasani.
Ndër të tjera, z. Hasani cilësoi se Shqipëria mbështet çdo iniciativë që forcon aftësitë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe përballuar sfidat globale, gjithmonë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë transatlantikë.
“Shqipëria e ka parë gjithmonë veten si një forcë stabilizuese në rajon. Ne e kemi treguar vazhdimisht angazhimin tonë përmes veprimeve, jo vetëm fjalëve, duke marrë pjesë aktivisht në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Jemi krenarë që kontribuojmë në paqe dhe siguri përtej rajonit tonë.” – cilësoi Ministri Hasani.
Dialogu i sotëm për Sigurinë dhe Mbrojtjen është i pari në radhën e seancave të ardhshme që do të përcaktojnë se si Shqipëria dhe BE-ja punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e kohës, sfida që kapërcejnë kufijtë dhe kërkojnë zgjidhje kolektive.