Antalia, Turqi, 14–15 maj 2025 – Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Endrit Yzeiraj mori pjesë në Takimin Jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në Antalia të Turqisë. Ky ministerial përbën një moment kyç në funksion të përgatitjeve për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë, në datat 24-25 qershor 2025.
Në fokus të ministerialit ishin prioritetet dhe propozimet e reja në forcimin e qëndrueshmërisë së Aleancës dhe ndarjen e drejtë të barrës së sigurisë mes vendeve aleate, për të cilat Krerët e Shteteve dhe Qeverive do të marrin vendime historike në Samitin e Hagës, veçanërisht përsa i përket rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes. Në këtë kontekst, aleatët diskutuan propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, për rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të PBB-së deri në 2032.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Yzeiraj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë ndaj vlerave dhe qëllimeve të NATO-s, ndërsa theksoi nevojën që vendet aleate duhet të investojnë më shumë për sigurinë kolektive. Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje të ekuilibruar dhe realiste në përmbushjen e objektivave të përbashkëta të mbrojtjes, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e kohezionit dhe proporcionalitetit brenda Aleancës. Në këtë kontekst, Shqipëria e ka përmbushur angazhimin e saj në 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa mbetet e angazhuar të investojë më shumë në të ardhmen.
Përsa i përket sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, z. Yzeiraj theksoi edhe njëherë rëndësinë që ka angazhimi i NATO-s në rajon, veçanërisht nën dritën e zhvillimeve më të fundit atje.