Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në dy-vjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë, rktheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar për Ukrainën dhe popullin e saj.
Kryediplomati shqiptar nënvizoi se Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme.
“Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën, sepse lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin”, deklaroi ai nëpërmjet një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.
“Prandaj, më 28 shkurt, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor. Dhe ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonin tonë dhe Evropës”, tha ai.