Tiranë 21 nëntor 2024 – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” të akredituar në Tiraanë.
Në fokus të diskutimeve ishte avancimi i procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Europian
Ministri Hasani shprehu falenderimet e tij për mbështetjen dhe angazhimin e vendeve të këtij formati në afrimin e rajonit me BE-në, duke nënvizuar se falë përpjekjeve të përbashkëta, Shqipëria arriti të hapë Grupkapitullin e Parë të negociatave të anëtarësimit – “Themeloret”.
Sipas ministrit Hasani, kjo arritje është një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai u vuri theksin tek ruajtja dhe forcimi i praktikave të komunikimit dhe bashkëpunimit të këtij formati.
Kryediplomati Hasani, propozoi krijimin e mekanizmave të rinj për diskutime të rregullta në nivel drejtorësh politike, me qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për integrimin e rajonit në BE “Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit dhe është e nevojshme të ruhet ritmi dhe të shtohen përpjekjet për integrimin gradual, që nënkupton ndër të tjera edhe pjesëmarrjen graduale në formatet, mekanizmat dhe institucionet e Bashkimit Europian.
Ky proces do të mundësojë një lidhje më të ngushtë dhe një linjëzim më të mirë të politikave të Shqipërisë me ato të BE-së” u shpreh ministri Hasani.
Nga ana e përfaqësuesve të vendeve të formatit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” u theksua angazhimi për të ofruar mbështetje të vazhdueshme në realizimin e objektivit të përbashkët gjeostrategjik – integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë e këtij formati dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar më tej në këtë proces.