Strasburg, 24 nëntor 2024 – Shqipëria ka ofruar një kontribut prej prej 30 mijë eurosh, në mbështetje të Planit të Veprimit të Këshillit të Evropës për Ukrainën, “Rezistencë, Rimëkëmbje dhe Rindërtim” 2023-2026.
Ky kontribut vjen në vijim të angazhimeve tona të vazhdueshme në mbështetje të Ukrainës dhe përpjekjeve të saj për të mbrojtur vlerat e pëbashkëta demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Nënshkrimi zyrtar i kontributit u bë nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, z. Dastid Koreshi.
Shqipëria ka qenë një mbështetëse e zëshme dhe aktive e Ukrainës në arenën ndërkombëtare që nga fillimi i agresionit rus ndaj saj, në vitin 2022. Dhënia e këtij kontributi përforcon angazhimin tonë serioz dhe konkret për të ndihmuar Ukrainën në këto kohë të vështira. Ky akt tregon gjithashtu besnikërinë dhe vullnetin tonë për të mbështetur vendet mike në nevojë dhe për të promovuar paqen dhe demokracinë.
Shqipëria është krenare të jetë pjesë e kësaj nisme të rëndësishme, si Plan Veprimi më i madh në historinë e Këshillit të Evropës, së bashku me shumë vendet të tjera, anëtare të kësaj Organizate dhe do të vijojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet e saj për një të ardhme më të mirë.