Bruksel, 3-4 prill 2025 – Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Endrit Yzeiraj përfaqësoi Shqipërinë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku vendet anëtare dhe partnerët e Aleancës diskutuan mbi sfidat e sigurisë dhe prioritetet strategjike për të ardhmen.
Në kuadër të Ministerialit, Zëvendësministri Yzeiraj u angazhua në diskutime mbi forcimin e sigurisë kolektive, rritjen e bashkëpunimit me partnerët e Indo-Paqësorit dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën përballë agresionit rus.
Fokusi kryesor i diskutimeve u vendos mbi kërcënimet kryesore të cilat prekin sigurinë e zonës Euro-Atlantike. Pjesëmarrësit konfirmuan vullnetin e tyre politik për të mbrojtur territorin e vendeve të NATO-s nga çdo kërcënim i mundshëm, si dhe rikonfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën deri ne arritjen e nje paqeje te drejtë dhe të qëndrueshme, me fokus të posaçëm rolin më të madh të Evropës në mbështetje të saj.
Shqipëria mbetet një partner i besueshëm dhe i angazhuar në NATO, duke vijuar të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.