Në datat 14-15 shkurt 2026, Federata Kombëtare e Taekwon-Do-s së Ukrainës në bashkëpunim me Ministrinë për Rininë dhe Sportin të Ukrainës, organizuan Kampionatin “All-Ukrainian Union Taekwon-Do 2026”. I ftuar nderi në këtë aktivitet sportiv ishte Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ernal Filo.
Aktiviteti mblodhi sportistë dhe përfaqësues nga mbarë Ukraina. Edhe pse në kohë sfidash të mëdha për vendin, sporti vazhdon të prodhojë rezultate të shkëlqyera dhe të frymëzojë brezat e rinj. Në këtë kuadër u vlerësuan arritjet e sportistëve ukrainas, ku tetë prej tyre kryesuan renditjen e Federatës Evropiane të Taekwon-Do për vitin 2025.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Filo, pasi falënderoi organizatorët për ftesën për t’u bërë pjesë e këtij evenimenti, theksoi se partneriteti midis dy vendeve tona shtrihet edhe në bashkëpunimin midis federatave tona të Taekwon-do përmes profesionalizmit, respektimit të vlerave të përbashkëta dhe shkëmbimeve të eksperiencës midis sportistëve. Udhëtimi i një grupi sportistësh të Taekwon-dos nën drejtimin e Presidentit, z. Valentyn Zorba, së shpejti në Shqipëri është tregues i mikpritjes dhe solidaritetit që vendi ynë ka treguar për popullin e Ukrainës dhe qëndresën e tij ndaj agresionit rus.
Në fund të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe dhurata për sportistët më të mirë të Ukrainës në sportin e Taekwon-dos.



