Më datë 17 janar 2025, u zhvillua në Kiev ceremonia e inaugurimit të Ambasadës së RSH-së në Kiev, me pjesëmarrjen e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të RSH-së, SH.T.Z. Igli Hasani, Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, SH.T.Z. Andrij Sybiha, anëtarëve të Grupit të Miqësisë “Ukrainë-Shqipëri” në Parlament (Vrhovna Rada), ambasadorë e diplomatë nga Përfaqësitë e vendeve të rajonit, kabineti i Presidentit, kabineti i Zv/KM, drejtoritë politike dhe Protokolli në MPJ etj.
Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Ukrainë, SH.T.Z. Ernal Filo, duke falënderuar të pranishmit, theksoi rëndësinë e këtij momenti historik, i cili jep mesazhin se Shqipëria qëndron në krah të Ukrainës në këto momente te vështira të agresionit ushtarak rus. Ambasadori Filo u angazhua që gjatë mandatit të tij do të punojë në drejtim të forcimit dhe zhvillimit më tej të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona.
Në fjalën e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, SH.T.Z. Igli Hasani, u shpreh se kjo Ambasadë është një kapitull i ri, ajo është simbol i marrëdhënieve të thella dhe gjithnjë në rritje midis dy vendeve tona. Prezenca jonë këtu rikonfirmon solidaritetin e palëkundur me popullin e Ukrainës në këto kohë sfiduese, afirmon qëndrimin në vazhdimësi të Shqipërisë në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, integritetit territorial dhe të drejtës për paqe dhe të ardhme të begatë. Me hapjen e Ambasadës, Shqipëria hap një kapitull të ri në partneritetin tonë, një urë midis Tiranës dhe Kievit për të punuar sa më ngushtë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, SH.T.Z. Andrii Sybiha, e konsideroi hapjen e Ambasadës një moment historik të rëndësishëm në forcimin e partneritetit midis Ukrainës dhe Shqipërisë, si një simbol të fuqishëm të unitetit dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht për faktin se ajo ndodh në mes të luftës në shkallë të gjerë. Pavarësisht sfidave, duke përfshirë një sulm të fundit rus me raketa që preku edhe ambasadën dhe misionet e tjera diplomatike (MV, Malin e Zi, Palestinën, Argjentinën dhe Portugalinë), guximi dhe përkushtimi i Ambasadorit, SH.T.Z. Ernal Filo, dhe diplomatëve të tjerë në Kiev, vlerësohen shumë nga ana jonë. Ministri Sybiha theksoi se hapja e Ambasadës është një dëshmi e mëtejshme e miqësisë dhe partneritetit të fortë midis Ukrainës dhe Shqipërisë.