MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën janë vendosur më 13.01.1993 dhe në janar 2024 është kremtuar 31 vjetori i vendosjes së këtyre marrëdhënieve.
Marrëdhëniet politike mes dy vendeve vlerësohen të mira dhe miqësore, me interes të përbashkët për zhvillim të mëtejshëm. Marrëdhëniet me Ukrainën filluan të aktivizohen veçanërisht në vijim të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë. Shqipëria që në fillim mbajti një qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në një linjë me qëndrimin e BE dhe SHBA. Shqipëria i është bashkuar që në momentin e parë vendimit të Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Viti 2020 ishte i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, pasi Shqipëria hapi Misionin e saj të Posaçëm në Kiev në kuadër të kryesisë shqiptare së OSBE-së, ndërsa Ukraina hapi Ambasadën e saj në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri Rama ka zhvilluar vizitë në Ukrainë edhe në kapacitetin e Kryetarit të Radhës së OSBE-së në janar 2020, e cila shënoi një moment të rëndësishëm dhe cilësor në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Misioni ynë ndërkohë është mbyllur dhe më 18 janar 2023 u mor vendimi për hapjen e Ambasadës së RSH në Ukrainë, i cili u konkretizua më 12 nëntor 2024, kur Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së, SH.T.Z. Ernal Filo, paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Ukrainës, SH.T.Z. Volodymyr Zelensky.
Me agresionin e Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Shqipëria ka dënuar menjëherë sulmet e Rusisë, ka aplikuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, dhe si bashkëpenmbajtëse e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka qenë në plan të parë krahas vendeve partnere, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, etj, në dënimin e shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga një vend anëtar i përhershëm i KS (Rusia) duke sulmuar dhe mos njohur sovranitetin e Ukrainës si shtet i pavarur. Gjithashtu, Shqipëria ka votuar pro pezullimit të Rusisë nga KiE, AP e KiE, UNHRC, etj, derisa të ndalojë pushtimi rus i Ukrainës dhe ushtria ruse të largohet nga Ukraina. Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar më 7 mars 2022 Rezolutën për “Mbështetjen e Sovranitetit dhe Tërësisë Territoriale të Ukrainës dhe Mbrojtjen e Parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Evropiane”.
Vizita më e fundit e nivelit të lartë është ajo e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, në Kiev, në qershor 2022.
MARRËVESHJET E NËNSHKRUARA
Janë 13 marrëveshje të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Janë 18 marrëveshje në proces negociatash dhe 2 prej tyre janë gati për nënshkrim. Përmendim Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, Marrëveshja për Garancitë e Sigurisë, Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Ukrainës për punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve, Marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Ukrainës për bashkëpunim në fushën e kulturës, Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit Arkivor Shtetëror të Ukrainës.
BASHKËPUNIMI EKONOMIK
Bashkëpunimi ekonomik nuk ka arritur ende nivelin e marrëdhënieve të mira politike dhe diplomatike. Shumë mallra shqiptare drejt Ukrainës tregtohen nëpërmjet vendeve të treta dhe jo drejtpërdrejt. Në Shqipëri operojnë 63 kompani me pronësi ukrainase. 43% e këtyre kompanive operojnë në territorin e Prefekturës së Vlorës. Në përgjigje të interesit të lartë për Ukrainën, pas përfundimit të luftës fokusi do të jetë tek organizimi i vizitave të nivelit të lartë dhe mbajtja e Forumeve të Biznesit.
PROCESI I INTEGRIMIT NË BE
Shqipëria ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës në çdo mjet dhe në çdo forum. Shqipëria vlerëson vendimin e Këshillit Evropian të datës 15 dhjetor 2023 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne shpresojmë që Ukraina të fillojë negociatat e anëtarësimit së shpejti. Politika e zgjerimit të BE-së është në një rishqyrtim serioz dhe ndonëse ende nuk ka marrë formë dhe drejtim përfundimtar, mund të themi me vendosmëri se do të jetë objektivi dhe interesi ynë i përbashkët në të ardhmen.
KOMUNITETI SHQIPTAR NË UKRAINË
Në Ukrainë, dhe kryesisht në Zaporizhzhya dhe Odessa, ekziston një komunitet gati dy shekullor shqiptar, i cili shërben si një urë miqësie midis dy popujve dhe vendeve tona. Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e këtij komuniteti në Zaporizhzhya është tani nën pushtimin rus dhe ne jemi të shqetësuar për ta dhe për të gjithë qytetarët e Ukrainës, të cilët janë nën pushtimin rus dhe vuajnë pasojat e këtij agresioni. Politika jonë e jashtme synon bashkëpunimin për të mbështetur dhe lehtësuar dhimbjen dhe vështirësitë e tyre.